DITA E GJYKIMIT
PO AFROHET
Dhe nuk ka dyshim se Ora po afron dhe se Allahu me siguri
do t'i ngjallë ata të varrezave (të vdekurit).(Sure Haxh:
7)
Vdekja po afrohet çdo ditë. Pa marrë parasysh se a jeni
të ri apo të vjetër, vdekja është pak më
pranë jush çdo ditë, madje çdo minut. Nuk mund
t’i bëni ballë kohës apo të ndaloni afrimin
e vdekjes. Asgjë që bëni ju s’mund të ndryshojë
faktin se ju dhe ata afër jush janë vetëm qenie “të
përkohshme”. Si çdo qenie tjetër e gjallë,
ju i afroheni Ditës në të cilën jeta juaj do të
përfundojë.
Njerëzimi nuk është ana e vetme e krijimit që i nënshtrohet
vdekjes. Të gjitha krijesat tjera, vet Toka dhe e tërë
gjithësia, kanë një ditë të vdekjes të përcaktuar
për to. Dita e Gjykimit është një ditë e llahtarit
dhe frikës së paimagjinueshme. Por në të njëjtën
kohë, është dita më e mahnitshme. Gjithçka
në Tokë do të rrafshohet, yjet do të shuhen dhe do
të bien me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe Dielli
do të mbështjellet në errësirë. Të gjitha
qeniet njerëzore që kanë jetuar ndonjëherë do
të tubohen dhe do të bëhen dëshmitarë të
kësaj Dite. Kjo Ditë e Fundit do të jetë e frikshme
për mosbesimtarët dhe Zoti i saj do të jetë Allahu,
i Cili zotëron gjithçka ekziston.
Dita e Gjykimit, përkundër besimit të shumicës së
njerëzve, po afrohet, ajo nuk është në një të
ardhme të largët. Kur të vjen ajo, Toka dhe gjithçka
në të do të asgjësohet. Ambiciet, dëshirat, zemërimi,
shpresat, epshet, armiqësitë dhe kënaqësitë do
të marrin fund. Planet e bëra për të ardhmën
do të bëhen të pakuptim, sepse ata që kishin harruar
se do të kthehen tek Allahu, duke parapëlqyer këtë
botë mbi jetën e përjetshme dhe pasurinë, bukurinë
dhe kënaqësitë çorientuese të saj, do të
takojnë fundin e tyre. Në këtë Ditë, çdo
njeri do të përjetojë qartë ekzistencën e Allahut
dhe do të përballet me vdekjen të cilën janë
përpjekur aq shumë ta harrojnë. Përpjekja e tyre për
të harruar Allahun dhe Ahiretin ka marrë fund dhe një fillim
i ri, një fillim që do të jetë i përjetshëm
dhe që nuk do t’ju sjellë lumturi mosbesimtarëve,
i pret ata. Që nga momenti i parë i kësaj jete të
përjetshme, ndëshkimi është aq i frikshëm sa
që ata që e përjetojnë atë do të luten për
“vdekje” dhe “asgjësim”. Fillimi i kësaj
jete është Dita e Gjykimit dhe “Ora po afron pa asnjë
dyshim.”
JETA NË TOKË ËSHTË E PËRKOHSHME DHE VDEKJA ËSHTË
NJË REALITET I PASHMANGSHËM
Që nga fëmijëria juaj e hershme e më tutje, ju shkoni
drejt synimeve të caktuara apo udhëzoheni prej të tjerëve.
Ju me siguri do të keni një familje dhe një punë,
do të përpiqeni të fitoni më shumë për të
pasur një jetë më të mirë, do të shkolloni
fëmijët tuaj dhe do të shpresoni të keni një
jetë më të mirë se që keni pasur. Një herë
në javë takoheni me pjesëtarët e familjes suaj të
gjerë. Shkoni në pushime, shkoni në punë dhe pjesën
tjetër të kohës suaj e kaloni në shtëpi. Përveç
disa problemeve të vogla me të cilat ndesheni, jeta juaj vazhdon
e qetë dhe zakonisht nuk ndesheni me asgjë të jashtëzakonshme.
Gjithçka në jetën tuaj duket të jetë e paramenduar
dhe jeta e çdokujt është sikurse jeta e çdokujt
tjetër. Ju duhet të punoni për t’i vënë
në jetë këto synime dhe duhet të keni një familje
për të vazhduar familjen tuaj. Sipas këtij botëkuptimi,
çfarë tjetër do të mund të dëshironit
vallë përveç “një pune të mirë”
dhe “një familje të mirë?” Me arritjen e këtyre
synimeve, ju shpresoni të çoni një jetë të
lumtur. Në këtë mënyrë, gjithçka është
e mrekullueshme dhe ju do të jetoni të lumtur.
Megjithatë, në trupin tuaj dhe në mjedisin tuaj ndodhin
disa ndryshime të rëndësishme. Shumë qeliza që
kanë funksione të ndryshme përmbushin qëllimin e tyre
dhe vdesin. Duke u plakur, bëhet më e vështirë që
ato të zëvendësohen. Organizmi juaj plaket dukshëm,
gjë që bie në sy përmes sëmundjeve dhe dobësive
tuaja. Koha kalon shpejtë dhe pamundësia e kthimit të saj
bëhet më e qartë çdo ditë. Duke menduar se
do të jetoni i lumtur dhe në rehati përgjithmonë,
ju prapseprap i afroheni vdekjes. Pra, kjo jetë tokësore kurrë
s’mund t’ju jap ndjenjën e kënaqësisë
dhe qetësisë që ju shpresoni. Kur kjo jetë “e
kënaqshme” merr fund, ju do të përballeni me të
vërtetën reale. Duke e pasur parasysh këtë fakt, asnjëra
prej ambicieve tuaja jetësore s’duhet të bëhet qëllimi
juaj i vërtetë në jetë. Kjo jetë është
një sprovë e përkohshme për të ndarë të
drejtët prej keqbërësve. Allahu zbulon këtë realitet
në vargun vijues:
Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju
provuar se cili prej jush është më vepërmirë.
Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatëfalësi.(Sure
Mulk: 2)
Qëllimi i vërtetë i jetës nuk është një
punë e mirë dhe një familje e mirë. Në të
vërtetë, çdo njeri është krijuar për një
qëllim: për t’i shërbyer Allahut. Ne bëhemi
të lidhur me fëmijët tonë, pozitën dhe statusin
por që në çastin e parë të vdekjes, këto
kënaqësi tokësore humbin vlerën dhe domethënien
e tyre. Çdo njeri e di këtë, por shumica vendosin t’mos
e pranojnë. Dhe kështu gjërat e tilla s’do të
duhej të ishin qëllimet themelore të jetës. Ne duhet
të mendojmë me kujdes dhe të kuptojmë se çka
është qëllimi i vërtetë dhe dobia e vërtetë.
Allahu zbulon qëllimin e vërtetë të krijimit tonë,
si vijon:
Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër
vetëm që t’Më adhurojnë. (Sure Dharijat: 56)
Vetëm me anë të përmbushjes së kësaj përgjegjësie
mund të shpresojmë në dhuntitë e Ahiretit. Shumica
e njerëzve kanë shpresa të pabaza dhe e ngushëllojnë
veten me to. Por ky është një gabim i madh. Nëse njeriu
nuk pret asgjë nga Ahireti, mbetet vetëm një mundësi:
Të bëhet asgjë me vdekjen e tij, një mundësi
që është më e frikshme se gjitha mundësitë
tjera. Mosbesimtarët zhvillojnë metoda të ndryshme për
të harruar këtë mundësi, sepse shumë ia kanë
frikën asaj. Midis këtyre metodave janë që t’mos
flitet, t’mos diskutohet apo të mos përkujtohet vdekja,
edhepse është një gjë e sigurt për çdo
njeri. Çdo njeri sillet sikur ajo të mos ekzistonte. Se shumica
e njerëzve sillen në atë mënyrë do të mund
të ishte një gjë lehtësuese deri në një
masë, por në të vërtetë ata të gjithë
janë në rrugë të gabuar. Njerëzit dijnë
për vdekjen, Ditën e Fundit dhe Ahiretin por nuk pranojnë
të mendojnë për to. Ata janë të kënaqur
me këtë jetë tokësore apo së paku e bindin veten
të besojnë se janë. Mirëpo, Allahu zbulon se vdekja
do ta gjejë çdokend:
Thuaj: "S'ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka
për t'ju zënë, e mandej do të silleni te Njohësi
i të padukshmës dhe të dukshmës, dhe atëherë
Ai do t'ju njoftojë me atë që keni punuar." (Sure
Xhum’a: 8)
Gjithësia dhe gjithçka që përmban ajo, jo vetëm
njerëzimi, do të vdes në Ditën e Gjykimit, sepse atë
Ditë prova do të marr fund. Shumë njerëz do ta njohin
ardhjen e saj përmes shenjave të saj, dhe ngjarjet që çojnë
në vdekjen e gjithësisë do të jenë në kuptimin
e plotë të fjalës rrënqethëse. Përfundimisht,
atë Ditë, Allahu do t’i ringjallë ata që janë
në varre dhe të gjithë njerëzit në Tokë
do të thirren për të dhënë llogari. Ata që
nuk kishin pritur të përjetojnë një Ditë të
tillë nuk do të jenë më në gjendje që ta
mohojnë atë dhe kështu do t’i përulen vullnetit
të Allahut deshën apo jo. Allahu ka përgatitur një
fund madhështor për gjithësinë dhe përkundër
përpjekjeve të shumë njerëzve për ta mohuar këtë
të vërtetë, Dita e Gjykimit do të vjen në kohën
e saj të caktuar.
DITA E GJYKIMIT ËSHTË NJË REALITET I PADYSHIMTË
Ata që janë të kënaqur me vlerat dhe kënaqësitë
e përkohshme të kësaj bote bëjnë ç’munden
për t’i injoruar faktet e tilla si vdekja e tyre përfundimtare,
e cila është fare pranë dhe Ditën e Ringjalljes. Duke
mos menduar për të vërteta të tilla, ata i thonë
vetvetes se mund të jetojnë vetëm për veten e tyre
dhe të harrojnë për obligimet e tyre ndaj Allahut.
Kur’ani përshkruan në mënyrë figurative ngjarjet
e Ditës së Fundit dhe tronditjen, frikën, panikun dhe gjendjen
mendore që shoqëron gjithë njerëzit. Gjithësia
do të marr fund në të njëjtën mënyrë
madhështore në të cilën u krijua. Planetet do të
dalin prej orbitave të tyre dhe malet do të lëvizin. Përballë
ngjarjeve të tilla mahnitëse, ata që vënë besimin
e tyre në rastësi dhe ndodhi të rastësishme do të
kuptojnë se vetëm Allahu sundon gjithçka. Allahu shpall:
Thuaj: "Kujt i takon gjithçka është në qiej
dhe në tokë?" Thuaj: "Vetëm Allahut." Ai
ia përcaktoi mëshirën Vetes. Ai do t'ju tubojë në
Ditën e Ringjalljes, për të cilën gjë nuk ka
dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë.
(Sure En’am: 12)
E kur t’i fryhet Surit me një frymë, dhe të ngrihen
toka e kodrat e t'i mëshojnë njëra-tjetrës me një
të goditur. Në atë Ditë ndodhë e vërteta
(kijameti). (Sure Hakka: 13-15)
ORA E DITËS SË GJYKIMIT ËSHTË PARACAKTUAR
Me kalimin e kohës, ne me shpejtësi i afrohemi Ditës së
Gjykimit. Shumica e njerëzve mendojnë se kjo Ditë është
në të ardhmën e largët. Mirëpo, ata do të
duhej këshilluar që të përkujtojnë se gjeneratat
e mëparshme kishin të njëjtin qëndrim. Në të
vërtetë, çdo njeri i cili ka jetuar ndonjëherë
do të jetë dëshmitar i këtyre ngjarjeve dhe do të
tubohet në praninë e Allahut; askush s’do të jetë
në gjendje të ik. Pasiqë vetëm Allahu e di kur do
të vjen Dita e Gjykimit, nuk ka kurrfarë garance se nuk do të
ndodhë ndërsa ju jeni duke bërë plane për të
ardhmën dhe jeni të zënë me jetërat tuaja të
përditshme, sepse:
Thuaj: "Unë nuk e di a do të jetë afër ajo që
u premtohet, apo Zoti im do ta vonojë atë shumë?"
Ai është Njohësi i të fshehtës, por fshehtësinë
e Tij nuk ia zbulon askujt. (Sure Xhinn: 25-26)
Rregulli madhështor në të cilin Allahu krijoi jetën
do të përfundojë në një kohë të panjohur
për ne. Ata që dyshojnë për këtë fakt dhe
zgjedhin të mos besojnë në të mund ta konsiderojnë
veten si të arsyeshëm, dhe kështu kjo Ditë do të
jetë një ditë e vështirë dhe e frikshme për
ta. Për këtë arsye, është shumë më
dobiprurëse dhe pozitive që të besohet në të,
sepse nuk do të ketë dobi të besohet në të kur
të ketë arritur Ora (momenti) apo të ndjehet keqardhje
për vet-mashtrimin e tyre. Një varg e përshkruan keqardhjen
e tillë, si vijon:
E kur të vie Vala e Madhe (kijameti), atë
Ditë njeriu përkujton se çka ka punuar. (Sure Nazi’at:
34-35)
|